AlbanianSport.com 13.05.2016 20:25
ASNN – Niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria Superiore mund ta kurorëzojë që sonte kampionen e re të këtij sezoni. Kjo sepse takimi i parë i javës së 35-të, ai që ka nisur të luhet në ora 19:00 në Korçë midis Skënderbeut vendas dhe Partizanit, është ndeshja që sipas të gjitha gjasave do të vendosë fatin e titullit.
Pjesa e parë e këtij takimi ka qenë kryesisht e vakët, me një lojë që nuk u ngrit dot mbi nivelin mesatar, me të dyja skuadrat më të kujdesshme të mos pësojnë gol. Për këtë arsye, 45 minutëshi i parë është mbyllur me rrjeta të paprekura. Në çastet që po flasim, është luajtur shumica e pjesës së dytë dhe rezultati i ndeshjes është i mbërthyer në shifrat 0-0
Skënderbeut i mjafton edhe një barazim për t’u kurorëzuar edhe matematikisht “kampion” për të 6-ën herë radhazi dhe për të 7-ën herë në histori. Ndërsa Partizanit i bën punë vetëm fitorja, për të shpresuar në një mrekulli në javën e fundit. Takimet e tjera të javës së 35-të të Kategorisë Superiore luhen të shtunën.