Adriatik Balla 28.05.2015 08:00
Ende pa u mbyllur mirë festa e fitimit të titullit “kampion”, në radhët e Skënderbeut nisi eksodi i lojtarëve, ku nga grupi u larguan dje dy futbollistë. Ka probleme dhe duket qartë se Skënderbeu do të përpiqet shumë për të ruajtur grupin e tij dhe për sezonin e ri.
Megjithatë, vetë trajneri Mirel Josa dhe presidenti Ardian Takaj nuk janë shqetësuar shumë për vazhdimësinë, nisur nga fakti se skuadra luan në Ligën e Kampioneve dhe fitimet në rast suksesi të një ose dy tureve do të jenë të mëdha dhe për vetë futbollistët.
Por jo gjithçka shkon mirë dhe dje erdhën sinjalet e para, pasi ka tendenca largimi, gjë që ka filluar me lojtarët që nuk kanë pasur hapësirat e duhura në radhët e ekipit në sezonin që po lëmë pas.
Ndërsa zyrtarët e klubit ende nuk kanë mbajtur në qëndrim të plotë e të detajuar mbi çdo element që është në kontratë me Skënderbeun apo të cilëve u mbaron kontrata në muajin qershor.
Lëvizje të tilla prishin imazhin e mirë të klubit, i cili shihej deri tani si destinacioni më i kërkuar i lojtarëve në kampionatin shqiptar. Gjithsesi, largimet e deritanishme nuk e zbehin atmosferën në gjirin e brendshëm, për më tepër që këto largime ndodhën me mirëkuptimin e vetë klubit të Skënderbeut.