AlbanianSport.com 21.05.2015 11:35
ASNN – Mirel Josa pret të zyrtarizojë të shtunën titullin e tretë me Skënderbeun, por e ka të qartë se, përpara eliminatoreve të Ligës së Kampioneve, duhet të vendosen pikat mbi “i”. Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa bëhet gati të festojë rekordin e Skënderbeut, ndërsa kërkon që klubi të zgjidhë çështjen e kontratave me lojtarët dhe stafin teknik përpara aventurës në Ligën e Kampioneve.
Me titullin “kampion” që pret vetëm ta festojnë zyrtarisht, te Skënderbeu tani vëmendja shkon larg. Pas rekordit në Kategorinë Superiore kërkohet edhe rekordi në Evropë si skuadra e parë shqiptare që luan në fazën e grupeve. Por mes optimizmit të klubit korçar, ai që fluturon më ulët është trajneri Mirel Josa. Trajneri e di mirë që për të bërë një paraqitje dinjitoze në Ligën e Kampioneve përgatitjet duhet të nisin shpejt.
Sa për pikat mbi “i”, Josa e ka fjalën për të ardhmen e tij në stolin e Skënderbeut, që sidoqoftë mbetet prioritet për të. Por jo vetëm kaq. Trajneri kërkon siguri edhe për skuadrën që do të luajë në Kupat e Evropës. Për të lojtarët duhet të mos jenë me mendje të ngritur nga merkato. Dhe pa zgjidhur gjithçka, Josa nuk përfshihet në zërat e merkatos, që shoqërojnë ditët e fundit skuadrën e Skënderbeut.
Por deri në vendimet përfundimtare për të ardhmen Mirel Josa bëhet gati të festojë titullin e tretë “radhazi” me Skënderbeun. Të premten në mbrëmje skuadra korçare do të luajë sfidën e fundit kundër Vllaznisë, e cila ka pranuar, përkundër logjikës normale të futbollit bashkëkohor, që korçarët të festojnë në shtëpinë e tyre trofeun më të rëndësishëm të futbollit shqiptar.