AlbanianSport.com 15.05.2015 23:40
ASNN – I vetmi që nuk mendon për festën në Korçë, është Mirel Josa. Në një kohë që tifozët kanë ditë që kanë nisur përgatitjet për të festuar titullin e 5-të radhazi në Kategorinë Superiore, trajneri i Skënderbeut vazhdon të përgatisë skuadrën si të ishte në fillim sezonit.
Trajneri kërkon të fitojë kundër Flamurtarit, për të mbyllur matematikisht titullin dhe për të shpërblyer pritshmëritë e tifozëve. “Edhe pse jemi 4 pikë larg ndjekësit më të afërt, duhet të fitojmë që të mendojmë për festën e javës së ardhshme”, – ka theksuar trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa.
E nëse titulli është vetëm çështje kohësh, vëmendja e opinionit sportiv në Korçë shkon më larg. Te Liga e Kampioneve dhe te objektivi për të t’u bërë skuadra e parë shqiptare që kalon në fazën e grupeve në Kupat e Europës. Edhe për këtë temë Josa qëndron me këmbë në tokë.
Eksperienca në vitet e fundit i ka treguar Josës se për të qenë konkurrues në Evropë, përgatitjet duhet të nisin shpejt. Kundër Flamurtarit, Josa duhet t’i bëjë llogaritë pa mbrojtësin Tefik Osmani të dëmtuar. Megjithatë, trajneri ka mundësi zgjedhjeje, pasi pjesa tjetër e skuadrës është e gatshme për të zbritur në fushën e lojës.