AlbanianSport.com 24/01/2019 20:45
ASNN – Në një kohë kur rivaliteti për titull është përqendruar në aksin Tiranë-Kukës, ku të kuqtë kryeqytetas dhe verilindorët kanë shprehur ambicie të mëdha për titullin, në Korçë ende nuk janë dorëzuar dhe besojnë se mund të prodhojnë surpriza në dy fazat e fundit, të motivuar për sa kohë grupin e vlerësojnë lart në aspektin teknik dhe në merkato nuk po dalin pa blerje cilësore.
Së fundmi, Skënderbeu bën një tjetër lëvizje afruese, duke dhënë shenja se nuk do të ndalet me kaq dhe mund të rivalizojë dy kundërshtarët e saj në këtë rrugëtim për trofeun kryesor në futbollin shqiptar. është vetë klubi i Skënderbeut që njofton në profilin e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook” për ardhjen e një futbollisti malazes, mesfushor që mund të rrisë konkurrencën në radhët e ekipit.
“Idriz Toskiç prej sot është zyrtarisht futbollist i Skënderbeut, – shkruan njoftimi. – 23-vjeçari së bashku me presidentin Ardjan Takaj kanë firmosur kontratën që e lidh për 1 vit e gjysmë me klubin bardhekuq. Toskiç ka mbërritur dje në Korçë, ndërkohë që sot u bashkua me grupin në stërvitje në seancën e parë përgatitore në kuadër të takimit ndaj Partizanit.”
“Malazezi luan në qendër të mesfushës dhe është afrimi i 3-të në merkaton e janarit pas Asanit dhe Taipit”, – përfundon klubi korçar postimin në profilin e vet zyrtar në rrjetin social “Facebook”, duke ofruar edhe të dhënat e mëposhtme për futbollistin.
Të dhënat:
Datëlindja: 12 Tetor 1995 (23)
Vendlindja: Molfeta, Italo
Shtetësia: Mali i Zi & Itali
Gjatësia: 1.76