AlbanianSport.com 10.08.2015 12:20
ASNN – Futbollisti i Skënderbeut dhe i Kombëtares kuqezi, Sabien Lilaj, e njeh mirë Dinamon e Zagrebit, sepse para 3 vjetësh është përballur disa herë kur ka qenë pjesë e Lokomotivës së Zagrebit në Superligën kroate. Gjatë një interviste për të përditshmen sportive shqiptare, “Panorama Sport”, mesfushori titullar i bardhekuqve tregon se në përbërje të ekipit aktual të Dinamos ka lojtarë, me të cilët ai ka qenë shokë ekipi kur luante për Lokomotivën në sezonin 2011-2012.
“Është një ekip shumë i fortë, madje për mua është ekipi më i mirë i Ballkanit, – ka thënë ai. – Do të jenë dy ndeshje të forta dhe do të kemi shumë punë përballë tyre. Kushdo që të ishte kundërshtari nuk kishte short të favorshëm për ne. Mund të them vetëm se shmangëm Bazelin, që ishte ekipi më i fortë në atë grup, por katër të tjerat, përfshi edhe Dinamon ishin të një niveli, detyrimisht ekipe shumë të forta. Personalisht e doja një përballje me Dinamon e Zagrebit, sepse mund të kemi shanset tona.”
“Unë njoh dy Dinamo, – ka theksuar Lilaj, duke analizuar gjiganden e futbollit kroat. – Njoh atë para disa vitesh kur ishte kampione e padiskutueshme, një ekip që ka nxjerrë lojtarë si Modriç, Kovaçiç apo Brozoviç. Ndërsa tani shoh që një pjesë e shokëve të ish-ekipit tim, Lokomotivës së Zagrebit, janë pjesë e Dinamos. Është një ekip i formuar me lojtarë të rinj, por të talentuar. Është një ekip me lojtarë të rinj, por që nuk kanë eksperiencë në Evropë. Kjo mund të jetë një minus për ta.”