Adriatik Balla 28.05.2015 17:10
Kur kanë kaluar vetëm pak ditë nga festa e titullit të 6-të në historinë e Skënderbeut, klubi korçar zyrtarizon largimet e para nga ekipi. Bëhet fjalë për maqedonasin Aco Stojkov dhe brazilianin Diego Martins. Klubi dhe sulmuesi maqedonas kanë arritur një marrëveshje të përbashkët për të ndërprerë rrugën e bashkëpunimit.
32-vjeçari Stojkov u bashkua me bardhekuqtë gjatë merkatos së janarit, për të forcuar repartin e sulmit, dhe gjatë pjesës së tretë dhe të katërt të sezonit u vu nën urdhrat e trajnerit Mirel Josa duke ndihmuar skuadrën në rrugën drejt titullit të 5-të radhazi.
Stojkov është pjesë e Kombëtares së Maqedonisë që prej vitit 2002 ku numëron 43 ndeshje dhe 5 gola të shënuar. Me Skënderbeun ai ka luajtur 13 ndeshje duke shënuar edhe 3 gola, dy prej të cilëve vendimtarë.
Ai i ka ato realizuar në vizitën e Vlorës kundër Flamurtarit në 8 mars 2015, dhe tjetrin në Fier ndaj Apolonisë. Pas eksperiencës së shkurtër shqiptare, Stojkovi mund të rikthehet në kampionatin maqedonas ku më parë është aktivizuar me Vardarin dhe Rabotnjiçkin.
Sulmuesi tjetër që nuk do të jetë më pjesë e kampionëve të Shqipërisë, Diego Martins u bashkua me Skënderbeun gjatë muajve të verës. Ai ka shënuar 7 gola gjatë këtij sezoni
në 29 ndeshje të luajtura. Pavarësisht këtyre dy largimeve, Skënderbeu mbetet skuadër shumë e fortë.