AlbanianSport.com 28.12.2016 11:35
ASNN – Me mbylljen e dy fazave të para të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, kanë nisur të përvijohen edhe alternativat e skuadrave shqiptare, sidomos të atyre pretendente për trofe, për të zhvilluar fazën përgatitore dimërore jashtë vendit.
Kështu, duket se Skënderbeu i vendit të 3-të do të përgatitet në Turqi, në Antalia, në pritje të nisjes së fazës së tretë të kampionatit. Kampi stërvitor do të zgjasë 11 ditë dhe do të nisë më 6 janar 2017. Korçarët ndryshuan destinacion, pasi në sezonet e kaluar ishte Spanja zgjedhja e tyre.
Ndonëse nuk dihet ende nëse Andrea Agonisteli do të vazhdojë të mbetet trajner pas zhgënjimit në gjysmën e parë të sezonit, stafi teknik pritet të vëzhgojë gjendjen e lojtarëve duke zhvilluar 3 miqësore. Dy prej skuadrave janë nga Azerbajxhani, e pikërisht Karabagu i Ansi Agollit dhe Sumçajiti.
Seria e ndeshjeve testuese do të nisë me skuadrën vendase të Bursasporit. Këto ditë përgatitje do të shërbejnë edhe për të parë afrimet e reja, pasi drejtuesit kanë lajmëruar se do të ketë përforcime. Skënderbeu e mbylli i tretë fazën e dytë të Kategorisë Superiore, 4 pikë larg Kukësit kryesues dhe 3 nga Partizani i vendit të dytë.