Adriatik Balla 12.05.2015 13:15
Skënderbeu duket se e ka të sigurt titullin “kampion” në Kategorinë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit dhe ka nisur të mendojë që tani për përballjet e ardhshme në Ligën e Kampioneve, pra për të përforcuar skuadrën dhe për të rritur pretendimet e veta.
Skuadra korçare luan për të pestin vit radhazi në turet eliminatore të Ligës së Kampioneve dhe në bazë të koeficientit që ka klubi në UEFA, ka shanse reale që këtë herë të renditet në vazon e parë dhe me mundësi potenciale të luajë në fazën e grupeve të veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të kontinentit.
Kjo gjë do të ishte historike për një skuadër shqiptare, por mbetet të shihet edhe si do të ecin rivalët e tjerë evropianë që Skënderbeu të mësojë pozicionin e tij në shortin evropian të Ligës së Kampioneve.