AlbanianSport.com 21.12.2015 10:40
ASNN – Hamdi Salihi operohet në Austri për tre gishta të thyer dhe Skënderbeu nuk do ta ketë sulmuesin kryesor në Vlorë. Korçarët luan pa golashënuesin shkodran ndaj Flamurtarit në mesjavë, pasi dëmtimi e ndali shkodranit për të paktën 3 javë. Në një sport, që disa herë bëhet i rrezikshëm, Salihi doli me 3 gishta të dorës të thyer nga përplasja me portierin e Partizanit, Alban Hoxha.
Pavarësisht se të dy futbollistët hynë në duel me qëllimet më të mira dhe sportive, e keqja u bë, por për fat sulmuesi nuk pësoi dëmtim tjetër. Operimi i gishtave të dëmtuar përfundoi me sukses në Austri, dhe lojtari pritet të bashkohet me skuadrën në fazën përgatitore dimërore në Marbeja të Spanjës. Trajneri Mirel Josa, ama, ka edhe të tjera shqetësime.
Ndaj një Flamurtari që papritur duket i fortë, ai do të ketë gjithsej 6 mungesa, pasojë më së shumti e duelit të ashpër me Partizanin. Gerhard Progni, asistuesi i golit është i pezulluar për shkak të kartonit të verdhë. Të pezulluar do të jenë edhe mbrojtësit e rëndësishëm Marko Radash dhe Kristi Vangjeli. Të dëmtuar që më parë kanë qenë mesfushori Bakari Nimaga dhe sulmuesi Arbër Abilaliaj.
Pavarësisht mungesave, besohet se Josa do të jetë në gjendje të hedhë në fushë një formacion të fortë, në kërkim të fitores dhe të mbrojtjes së kreut të Kategorisë Superiore. Kjo, pasi Skënderbeu ka edhe mjaft alternativa të tjera. Megjithatë, korçarët do t’i mbajnë veshët ngritur edhe nga kryeqyteti, për të parë se çfarë do të bëjë Partizani ndaj Teutës.