AlbanianSport.com 25.05.2016 22:55
ASNN – Nëpërmjet profilit të tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, Klubi Skënderbeu ka reaguar për akuzat për trukime ndeshjesh. “Jemi njoftuar nga UEFA për t’u paraqitur në një seance dëgjimore për të dhënë shpjegime në lidhje me një hetim në ngarkim të klubit tonë nga organizata më e madhe e futbollit evropian”, – shkruhet në deklaratën e Skënderbeut.
“Inspektorët e UEFA-s kane ngritur dyshime mbi vërtetësinë e rezultateve tona në disa ndeshje te kampionatit shqiptar (kundër Partizanit, Teutës, Tiranës,Vllaznisë), si dhe në Kupat e Evropës, – vijoi klubi korçar. – Sipas materialit të vënë në dispozicion, hetimi ka nisur nga informacionet e marra nga kompanitë e basteve shqiptare e të huaja, nga aludimet ne rrjetet sociale nga ana e tifozëve kundërshtarë të Skënderbeut, si dhe nga media të caktuara.”
“E kemi vlerësuar maksimalisht këtë situatë, jemi përgatitur për t’u dhënë shpjegimet e duhura inspektorëve, duke u argumentuar atyre se ne kemi fituar gjithçka me meritë dhe se rezultatet tona kanë qenë gjithmonë të merituara”, – ka përfunduar klubi i Skënderbeut.