AlbanianSport.com 07.06.2016 15:15
ASNN – Ndonëse askush nuk ka pranuar të flasë para mediave dhe të japë shpjegime, Klubi i Skënderbeut vazhdon të reagojë nëpërmjet deklaratave për shtyp, të afishuara në profilin zyrtar të kampionëve në fuqi në rrjetin social, “Facebook”.
Në deklaratën më të fundit, drejtuesit e klubit sqarojnë opinionin publik dhe sportdashës në Korçë se Skënderbeu nuk është dënuar absolutisht për asnjë ndeshje specifike ndryshe nga çfarë shkruhet sot.
“Vendimi vjen si pasojë e një hetimi për 6 vitet e fundit, – thekson deklarata, duke vijuar: “Raporti dhe vendimi nuk ka asnjë fakt se klubi ynë ka trukuar por kemi të bëjmë me aludime, burimet e të cilave janë mediat shqiptare dhe rrjetet sociale.”
“Shumica këtyre ndeshjeve të dyshuara kanë dështuar të trukohen dhe ky është një fakt, – vijojnë më tej korçarët. – Klubi ynë, nisur nga ky raport i mbushur me aludime dhe aspak i faktuar shprehet i bindur se fitorja e madhe do vijë në CAS, atje ku kombëtarja Shqiptare fitoi të drejtën e saj kohë më parë.”
“Shkojmë të qetë në organin më të lartë të drejtësisë sportive”, – përfundon deklarata për shtyp e Klubit të Futbollit “Skënderbeu”.