AlbanianSport.com 12.10.2014 14:25
ASNN – Josa pritet të provojë sulmin që me shumë gjasa do të jetë Peter-Sefa, por priten edhe ndryshime të tjera në formacion. Ka ardhur momenti që kampionët sot të zbresin sërisht në fushë në ndeshjen e dytë miqësore në harkun kohor të brenda pak ditëve. Ndeshja e së mërkurës së shkuar ndaj PAS Janinës në Greqi përfundoi në barazim 1-1 dhe Skënderbeu, edhe pse me shumë mungesa, zhvilloi një lojë vërtetë të mirë.
Sot korçarët kanë planifikuar ndeshjen e dytë testuese dhe kundërshtar do të jetë një tjetër skuadër e huaj si Shkëndija e Tetovës, skuadër e cila do të udhëtojë sot nga Maqedonia në drejtim të qytetit juglindor. Një test i rëndësishëm për trajnerin Mirel Josa, pasi sot do të jetë një tjetër provë për të parë gjendjen e gjithë grupit që ka në dispozicion. Por sërish Skënderbeu pritet që dhe sot të ketë shumë mungesa, ku të dëmtuarit Shkëmbi, Bakari dhe Vangjeli nuk bëhet fjalë që të jenë në fushë.
Po ashtu të jetë në stol edhe Lilaj që është duke kaluar një problem shëndetësor. Pothuajse të gjitha repartet do të kenë në përbërje emra të rinj, që pak kanë luajtur deri tani, por Josës i intereson më shumë të provojë repartin e avancuar atë të sulmit, repart që nuk është “zhbllokuar” akoma pasi në 7-të javë ka shënuar vetëm dy gola, që mbajnë firmën e Sefës. Sot me shumë mundësi njëshi i stolit korçar do të rreshtojë në repartin ofensiv, Sefën dhe në krah të tij Peter.
Mbi të gjitha do të jetë një ndeshje testuese, por e rëndësishme dhe Josa ka kërkuar vlerësim maksimal nga të tijtë. Pritet që sot në stadiumin “Skënderbeu” të ketë tifozë të shumtë, pasi do të udhëtojnë edhe nga Maqedonia në drejtim të Korçës shumë tifozë tetovarë.
Formacioni i mundshëm i Skënderbeut ndaj Shkëndijës:
Llapanji
Radas Jashanica Osmani Arapi
Progni Alikaj Berisha Abazi
Peter Sefa