Adriatik Balla 30.07.2015 12:30
Skënderbeu ka shënuar një nga fitoret e tij më të bujshme në gjithë këto vite në Ligën e Kampioneve, pasi mundi në fushë të huaj kampionen e Moldavisë, Milsamin, me rezultatin e pastër 2-0. Kjo fitore e korçarëve është e para në fushë të huaj ndër vite dhe ky është një sinjal i mirë për ecurinë e ekipit të trajnerit Mirel Josa në turet eliminatore, pasi është pranë një arritjeje historike. Mjafton të kalohet ky tur, dhe, më e pakta, Skënderbeu do të luajë në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, ndërsa në rast të një suksesi edhe në fazën e “play-off”-eve do të luajë në fazën e grupeve të veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të kontinentit.
Suksesi në të dy rastet është shumë i madh dhe kampionët e Shqipërisë e meritojnë këtë. Fitorja e dy ditëve më parë ndaj moldavëve ka dhënë siguri dhe ajo që merr vëmendje është dhe përfitimi financiar, pasi, me kalimin e turit të tretë Skënderbeu arkëton plot 3 mln euro në arkat e tij. Presidenti Ardian Takaj është shprehur se do t’i japë skuadrës një shpërblim prej 500 mijë eurosh nëse arrijnë të kalojnë turin e tretë dhe, pas fitores me Milsamin dy ditë më parë, objektivi i kalimit të turit është shumë pranë dhe një përmbysje nga moldavët është gati e pabesueshme dhe do të ishte mrekulli për ta.
Qoftë nga rezultati, por sidomos edhe nga niveli i lojës, Skënderbeu ishte më lart dhe kualifikimi është thuajse i sigurt. Kjo do të thotë se presidenti Takaj duhet të bëjë gati 500 mijë euro si shpërblim për lojtarët dhe stafin teknik, diçka është i është premtuar ekipit. Dhe vetë presidenti u ka kujtuar lojtarëve pas fitores 2-0 ndaj Milsamit se ai është i vendosur ta japë shpërblimin e tij, pra do ta mbajë fjalën, por pa harruar t’u kujtojë gjithashtu se Skënderbeu ka mundësi reale të luftojë të futet në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Si kurrë më parë, Skënderbeu është shumë pranë një objektivi historik dhe do të ishte skuadra e parë shqiptare që luante në fazën e grupeve në këtë veprimtari të rëndësishme.
Në kampin korçar shohin si më të mundshëm kualifikimin në Ligën e Evropës, pasi faza “play-off” e Ligës së Kampioneve është e vështirë dhe shorti mund të rezervojë skuadra shumë të forta si Ajaksi apo më të forta akoma. Eliminimi mund të sjellë kalimin direkt në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve dhe kjo është, sidoqoftë, mjaft pozitive për një ekip të kampionatit shqiptar. Sidoqoftë, me lojën e treguar në Kishinjev, Skënderbeu ka bindur se mund të matet si i barabartë e pse jo të kalojë edhe “play-off”-e, për të shkruar historinë me një pjesëmarrje në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve të Evropës.
Të gjitha mundësitë janë të hapura, por më parë Skënderbeu nuk duhet të nënvlerësojë Milsamin në ndeshjen e kthimit. Fitimet nëse shkon në fazën e grupeve janë 12.5 milionë euro për pjesëmarrja në Ligën e Kampioneve, dhe 5 milion euro në Ligën e Evropës.