AlbanianSport.com 16.02.2016 16:15
ASNN – Pas Kategorisë Superiore, edhe Kupën e Shqipërisë. Me pak fjalë, trajneri kryeqytetas, Mirel Josa, i do të dy trofetë e futbollit shqiptar me korçarët. Kështu, kampionia në fuqi nuk ka ndërmend të heqë dorë edhe nga veprimtaria e dytë për nga rëndësia e futbollit shqiptar.
Skuadra e drejtuar nga Mirel Josa krijoi një diferencë të sigurt në krye të renditjes në kampionat dhe tashmë mendon vetëm për sfidën e kthimit për çerekfinalet e Kupës. Pas barazimit pa gola në ndeshjen e parë, korçarët do të presin të mërkurën në orën 13:30 Vllazninë.
Gjatë konferencës së sotme për shtyp, Josa është munduar të përqendrohet vetëm të ndeshja e radhës, por rikuperimi i madh që e ktheu sërish në krye të renditjes së Kategorisë Superiore, nuk e le indiferent. Sidoqoftë, trajneri e mban skuadrën “me këmbë në tokë”, teksa përveç Partizanit, fut në garën për titull edhe Tiranën.
Për ndeshjen kundër Vllaznisë, Josa ka në dyshim sulmuesin kryesor Hamdi Salihi, i cili ka probleme muskulore. Sidoqoftë, trajneri ka zgjedhje të tjera në sulm, me Renatinjon që shënoi në sfidën e fundit të kampionatit dhe Xhejmsin, ish-sulmuesin e Laçit, që është përshtatur shpejt me skuadrën e re.