Adriatik Balla 29.05.2015 09:35
Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, vijon të vlerësohet për suksesin e tij në kampionatin shqiptar. Kreu i stolit të skuadrës korçare po shijon suksesin e arritur edhe këtë sezon me skuadrën korçare. Sidoqoftë, për trajnerin kryeqytetas kjo do të jetë një tjetër verë e nxehtë pasi objektivi i radhës është ecuria sa më gjatë në Ligën e Kampioneve. Josa e pranon se skuadra aktuale ka nevojë për disa ndërhyrje në çdo repart, por fillimisht është sulmi që duhet të sistemohet pas largimit të dyshes Stojkov-Martins.
“Ne tani duhet të sjellim sulmues më cilësorë se Stojkov dhe Martins, – ka deklaruar trajneri kryeqytetas i korçarëve. – Skuadra ka nevojë për ndërhyrje në të tre repartet megjithatë prioritet kemi konsolidimin e grupit aktual.” Trajneri “kampion” nuk preferoi të përqendrohej në emra të veçantë, por nënvizoi se afrimet e reja në çdo repart do të jenë cilësore, për të bërë një figurë serioze në evenimentin e kampionëve, duke shtuar se shpreson që shorti ta vendosë përballë një ekipi të kalueshëm.
“Duhet të presim shortin, ku shpresoj të kemi fat edhe pse tashmë skuadrat e huaja kanë filluar të kenë frikë nga Skënderbeu, – pohoi Josa. – Gjithsesi, duhet të jemi të kujdesshëm dhe me këmbë në tokë.” Në fund, trajneri bëri edhe një analizë të pritshmërive që ka nga rruga evropiane e skuadrës së tij, e cila ishte vetëm një 11-metërsh larg fazës së grupeve në Ligën e Evropës vetëm dy vjet më parë. “Do të mundohemi të kemi një përfaqësim sa më të mirë dhe të synojmë kualifikimin në raundin tjetër”, – përfundoi trajneri i “Ujqërve të Dëborës”.