Adriatik Balla 29.05.2015 16:15
Trajneri Mirel Josa u nderua me “Çmimin e Meritës” nga Shoqata “Sporti na bashkon” në edicionin e shtatë të saj. Të pranishëm ishin dhe prindërit e trajnerit të Skënderbeut. Josa ka fituar tre tituj “kampion” me skuadrën korçare në tre sezonet e fundit. “Titulli më i bukur? – tha Josa pas marrjes së çmimit. – Të gjithë titujt për mua të gjitha kampionatet që fitojnë janë të njëjtë, jo vetëm këta të tre që kam fituar me Skënderbeun, por dhe ai me Tiranën.”
“Çmimi i suksesit? – vijoi ai – Është grupi që është formuar, është puna që kanë bërë këto futbollistë, duka pasur parasysh mënyrën sesi ata janë sjellë me futbollin. Momenti kulminant? Fitorja 5-2 me Partizanin.” Pllakatin ia dorëzoi një ikonat e volejbollit të meshkujve, Trajneri i Merituar i Sportit, Vangjel Koja, i cili e cilësoi Mirelin si një sportist shembullor dhe një trajner të shkëlqyer.
“Futbolli është sporti më i zhvilluar në Shqipëri. Pata fatin t’ia dorëzoj çmimin Mirelit. Ai është dhe miku i familjes sime”, – tha i mbiquajtur “Xhela”. “Është nder i madh për mua që ma dha profesori çmimin. Jam i kënaqur edhe me praninë e bashkëlojtarëve të mirë, që janë të pranishëm këtu, jo vetëm ata të Tiranës, por dhe të Dinamos e Partizanit”, – përfundoi Josa.