AlbanianSport.com 18.08.2015 21:25
ASNN – Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, në konferencën e fundit për shtyp para ndeshjes me Dinamon e Zagrebit, ka theksuar se skuadra e tij nuk duhet t’u japë në asnjë moment mundësinë kundërshtarëve që të shënojnë në “Elbasan Arena”. Josa e ka vlerësuar maksimalisht kundërshtarin, i cili, sipas tij, përfaqëson historinë e futbollit kroat në Evropë.
“Por kjo nuk duhet të na trembë, përkundrazi do të luajmë lirshëm, – tha trajneri kryeqytetas i ekipit korçar. – Dinamon e Zagrebit e kam ndjekur ndeshjet e fundit dhe ka zhvilluar një paraqitje shumë të mirë. Kundërshtari është i fortë dhe i rrezikshëm, nuk duhet t’i lëmë hapësira në mbrojtje. Nuk duhet të luajmë me frikë, pasi kemi mbërritur me meritë deri këtu dhe kemi shanset tona për kualifikimin në fazën e grupeve.”
“Në futboll nuk flas me përqindje, – ka vijuar Josa. – Ne duhet të jemi shumë më tepër të kujdesshëm sesa në ndeshjet me dy kundërshtarët e mëparshëm në Ligën e Kampioneve, në mënyrë që mos t’u japim mundësi kundërshtarit, kur ne të kemi topin në zotërim, të na kundërvihet.” Ndërkohë, fjalëve të trajnerit u ka bërë jehonë edhe kapiteni i Skënderbeut, Blendi Shkëmbi.
“Ne duhet të jemi perfektë, sepse luajmë ndaj një kundërshtari, që ka disa individualitete që nuk falin, por të shënojnë me t’u dhënë mundësia, – ka vijuar veterani i verdhkuqve juglindorë. – Kështu që padiskutim duhet të jemi në maksimumin tonë në çdo sekondë të lojës. Mendoj se kjo do të bëjë diferencën midis dy skuadrave tona në takimin e nesërm.”