AlbanianSport.com 16.05.2015 10:10
ASNN – Ekipi i Skënderbeut kërkon ta mbyllë çështjen e titullit që sot përballë Flamurtarit dhe trajneri Mirel Josa e beson realizimin e këtij objektivi. “Ndeshjen duhet ta shikojmë me seriozitetin e duhur, pasi fitorja na jep titullin dhe të mos mendojmë që rivalin më të afërt e kemi 4 pikë larg”, – ka deklaruar ai gjatë konferencës së djeshme për shtyp.
“Nuk duhet ta shikojmë Flamurtarin si një ekip jashtë objektivave, pasi çdo lojtar duhet ta paraqesë veten sa më mirë”, – u shpreh Josa. Sigurimi i titullit do të nisë edhe planet për Ligën e Kampioneve. “Do ta shohim nga shorti për ekipet që do të përballemi dhe do të mundohemi që të bëjmë paraqitje të mira, pasi në sezonet e kaluara rezultatet e arritur na kanë sjellë të ardhura ekonomike dhe morale”, – përfundoi Josa.
Ky do të jetë titulli i tretë për Mirel Josën me Skënderbeun dhe për këtë ka marrë përgëzime edhe nga trajneri i Partizanit dhe ish-trajneri i Skënderbeut, Shpëtim Duro. Gjatë konferencës për shtyp dhënë dje, trajner i Partizanit e ka quajtur si të përligjur titullin e 5-të “kampion” të korçarëve. “Ishte një kampionat i fortë dhe është një triumf i merituar i Skënderbeut”, – ka theksuar Duro.