AlbanianSport.com 04.08.2015 19:15
ASNN – Për vetë natyrën që ka, Mirel Josa është një trajner gjakftohtë, që nuk ia lejon vetes ta rrëmbejnë emocionet, e aq më pak t’i errësojnë gjykimin. Për këtë arsye, kur kanë mbetur diçka më tepër se 24 nga ndeshja e kthimit me moldavët e Milsamit, kryeqytetasi i stolit korçar nuk lejon të ndikohet nga fakti se ai dhe skuadra janë në prag të shkrimit të një kapitulli suksesi në historinë e futbollit shqiptar.
Në konferencën për shtyp, dhënë sonte në mjediset e Stadiumit “Elbasan Arena”, Josa nuk ka pranuar të pohojë se skuadra e tij është favorite për t’u kualifikuar. “Jemi shumë pranë historisë, – ka thënë trajneri i Skënderbeut. – Por kemi kryer vetëm 50% të punës. Dua të theksojmë se luajmë ndaj një skuadre të mirë. Por, në futboll asgjë nuk është e sigurte dhe ne duhet te luftojmë.”
“Përtej kësaj, me lojën që djemtë e mi më kanë treguar, ne nuk do të kemi asnjë lloj problemi, – ka vijuar ish-trajneri i Tiranës. – Megjithatë, nuk mund të hyjmë në lojë me bindjen që kemi fituar ndeshjen e parë, sepse kështu jemi te humbur. Nuk do të hyjmë në fushë nesër, për mbrojtje të rezultati të ndeshjes së parë, por për të fituar edhe ndeshjen e kthimit.”
Liridon Latifi, i cili është i dëmtuar, nuk do të jetë në dispozicion të Josës. Takimi i së mërkurës midis Skënderbeut dhe Milsamit, i vlefshëm për turin e tretë eliminator të Ligës së Kampioneve, pritet me interes të madh te publiku korçar. Në qytetin juglindor biletat për këtë ndeshje janë shitur totalisht dhe mbi 6 mijë tifozë nga Korça do të mbushin stadiumin e Elbasanit.