AlbanianSport.com 30.10.2014 08:35
ASNN – Të dorëzuar dhe të zhytur në vendin e fundit, elbasanllinjë të gëzuar që pësuan vetëm një gol. Trajneri i kampionëve e shpreh vetë idenë e lojës së mërzitshme, por i kënaqet trepikëshit. Trajneri Josa kishte rreshtuar në fushë një skuadër më shumë sulmuese, ashtu siç edhe ishte parashikuar, me ndryshimin e vetëm se i besoi Martins dhe jo Sefës nga minuta e parë. Nga ana tjetër trajneri Dosti rreshtoi një skuadër që mendonte më shumë për prapavijën dhe të vetëm me Çotën në vijën e parë të sulmit.
Por sulmuesi i deklaruar i Elbasanit nuk është mbështetur nga asnjë prej lojtarëve të tjerë të ekipit. Skënderbeu qarkullon topin në gjithë fushën dhe Lilaj e Martins në minutat në vazhdim provojnë thjesht të gjuajnë nga larg zone, por pa qënë të saktë. Vazhdon e njëjta pamje loje edhe në vazhdim të kësaj pjese, ndërkohë që të njëjtat tentativa nga larg kanë bërë edhe Peter dhe Radas, duke dërguar topin jashtë portës mike dhe duke mbyllur me padurim këtë pjesë të parë me shifrat e bardha 0-0.
Në pjesën e dytë, ka qenë Ribaj që ka shërbyer për Piter Olajinkën dhe 1-0, por vetëm kaq. Pas shënimit të golit, vendësit pajtohen totalisht me fitoren, ashtu siç janë pajtuar edhe miqtë nga Elbasani, që nuk marrin guximin të zbresin në gjysmëfushën korçare. Lojë e mërzitshme ka vijuar deri në minutën e 87-të, minutë kur, në një tentativë të rastësishme për të gjuajtur nga larg, sulmuesi Ribaj godet traun e portës mike dhe vetëm kaq.
Mbyllet gjithçka me këtë fitore minimale për korçarët, fitore që në fakt është arritur në një ndeshje me plot gojë “miqësore”, pasi për nivelin është “mëkat” të flasim për këtë ndeshje, që nuk u ngjit as në nivelin mesatar. Pas kësaj fitoreje, Skënderbeu është ngjitur në kuotën e 18 pikëve, por duke mbetur sërish tre pikë larg kreut të Kategorisë Superiore, ndërkohë që në fundjavë korçarët kanë një provë vërtet të vështirë, pasi do të udhëtojnë të luajnë ndaj kurbinasve në Laç.
Skënderbeu – Elbasani 1-0
Shënues: Piter Olajinka 51’
Skënderbeu: Shehi, Arapi, Osmani, Radas, Jashanica, Dimo, Lilaj, Shkëmbi (Abazi 80’), Ribaj, Piter Olajinka (Alikaj 68’), Martins (Sefa 34’). Trajner: M. Josa
Elbasani: Kotorri, Vogli, Pisha, Dosti, Kaçuli, Basriu (Ujkashi 77’), Hila, Gava, Tahirllari (Lleshi 75’), Shazivari, Çota (Luta 81’). Trajner: M. Dosti
Gjyqtarë: A. Koçi, F. Lamaj, E. Velo (Durrës)
Karton i verdhë: Arapi
Minuta e golit:
51’ Zbritje e korçarëve në krahun e djathtë. Ribaj kalon dy futbollistë miq, futet brenda zonës, shërben për Peter Olajinka, që me portën e boshatisur dërgon topin në rrjetë, duke shënuar golin e avantazhit për kampionët
Minutat e tjera:
11’ Lilaj gjuan nga jashtë zone, por topi përfundon mbi portën e mbrojtur nga Kotorri
13’ Martins godet po nga jashtë zone, por këtë herë pret Kotorri.
28’ Është Piter Olajinka, që gjuan paksa diagonal dhe topi përfundon ngjitur me shtyllën e djathtë pingule të portës mike.
41’ Vetëm gjuajtje nga jashtë zonës ka pasur dje për korçarët dhe në këtë minutë është Radas, që gjuan fluturimthi, por sërish jashtë.
87’ Ribaj në zonën e 16 metrave, godet dhe topi përplaset në traun e portës elbasanase, duke shpëtuar në këtë mënyrë miqtë nga pësimi i golit të dytë.