AlbanianSport.com 07.08.2015 13:05
ASNN – Do të jetë Dinamo e Zagrebit kundërshtarja e Skënderbeut në fazën e “play-off”-it të Ligës së Kampioneve. Shorti duket se ka qenë bujar me kampionen shqiptare, ndërsa ndeshjet e para luhen më 18 dhe 19 gusht, ndërsa ato të kthimit më 25 dhe 26 gusht 2015.
Kampionia e Shqipërisë, Skënderbeu, ka njohur sot pengesën e fundit drejt fazës së grupeve të veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të kontinentit, Ligës së Kampioneve. Korçarët, 5 herë radhazi kampionë të vendit, do të përballen në dy ndeshjet e fazës së “play-off”-it me Dinamon e Zagrebit, dhe ndeshjen e parë do ta luajnë në fushën e tyre.
Shorti duket se ka qenë bujar me kampionen shqiptare, duke i shmangur përballjen me gjiganden skoceze, Sëlltikun, apo me skuadra si Malmoe, APOEL-i i Nikozisë dhe Makabi i Tel-Avivit, skuadra që kanë shkuar në mënyrë periodike në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve.
Në çiftet e tjera të pjesës së shortit të quajtur “rruga e kampionëve”, kazakët e Astanës do të përballen me qipriotët e APOEL-it, skocezët e Sëlltikut me suedezët e Malmoes, zviceranët e Bazelit me izraelitët e Makabit të Tel-Avivit dhe bjellorusët e BATE Borisovit me serbët me Partizanin e Beogradit.
Ndërsa çiftet e pjesës së dytë të shortit, të quajtur “rruga e ligës”, janë Lacio-Bajer Leverkusen, Mançester Junajtid-Bryzh, Sporting i Lisbonës-CSKA e Moskës, Rapidi i Vjenës-Shahtjori i Donjeckut dhe Valencia-Monako. Ndeshjet e para luhen më 18 dhe 19 gusht, ndërsa ato të kthimit më 25 dhe 26 gusht 2015.