AlbanianSport.com 03.07.2015 14:25
ASNN – Në pritje të gjetjes së një klubi të ri, Hamdi Salihi do të luajë me Skënderbeun gjatë ndeshjeve të tureve eliminatore të Ligës së Kampioneve. Një gjë e tillë është konfirmuar nga klubi korçar, ndërsa mbetet e hapur mundësia që ai të vazhdojë me Skënderbeun edhe për sezonin e ri, nëse bisedimet me një klub izraelit nuk mbyllen me sukses. Kampionia e Shqipërisë, Skënderbeu, ka marrë një përforcim cilësor për pjesëmarrjen e saj në veprimtarinë më prestigjioze të klubeve të kontinentit, Ligës së Kampioneve.
Bëhet fjalë për sulmuesin e Kombëtares kuqezi, Hamdi Salihi, i cili i është bashkuar skuadrës korçare në kampin e saj stërvitor në Austri. Një gjë e tillë është konfirmuar zyrtarisht nga drejtuesit e klubit që sezonin që u mbyll mbrojti me sukses, për të 5-tin sezon radhazi, titullin “kampion”. Sipas menaxherit të përgjithshëm të Skënderbeut, Gerhard Takaj, klubi korçar ka arritur një marrëveshje paraprake me sulmuesin shkodran për ta patur atë gjatë ndeshjet të Ligës së Kampioneve, ndërsa mbetet e hapur mundësia që ai të mbetet edhe më pas në klubin korçar.
Në fakt, Hamdi Salihi, i cili prej dy vitesh militon në futbollin izraelit, është në bisedime me një klub tjetër hebre, dhe kjo kushtëzon vazhdimësinë e tij me korçarët. Në rast të mosgjetjes së një klubi të ri për sezonin e ri, Salihi do të mbetet tek Skënderbeu, që sidoqoftë, tani për tani do të kënaqet me shërbimet e shkodranit vetëm për turet eliminatore të Ligës së Kampioneve.