AlbanianSport.com 26.10.2014 10:45
ASNN – Shkodranët të pafuqishëm në fushën e lojës, Kruja ishte pak për kuqeblutë. Skënderbeu merr një fitore pa shumë histori. Që Skënderbeu do të fitonte këtë javë kjo dihej nga të gjithë. Kjo edhe për atë se, pas dy barazimeve njëri pas tjetrit, Takaj, por dhe Josa vështirë të toleronin më. Fitorja anonte nga Skënderbeu më tepër se nga fakti që luante në fushën e vet, ndërsa Vllaznia ishte përballë kampionëve në fuqi të Kategorisë Superiore, teksa ka zbritur në fushë me shumë probleme të pazgjidhura për veten.
Skënderbeu nuk e ka pasur të vështirë fitoren me shkodranët edhe në kushte kur Lilaj e Berisha nuk kanë qenë në lojë për shkak të kartonëve të kuq që kanë marrë një ndeshje më parë. Por ka munguar edhe Progni, një tjetër lojtar i rëndë i kësaj skuadre. Korçarët kanë fituar pa shumë lodhje këtë ndeshje, edhe sepse lojtarët e Vllaznisë nga minuta në minutë janë bërë aq shumë të “vegjël” sa humbisnin në fushën e lojës. Pa thënë që janë dorëzuar fill pas golit të parë, ndoshta dhe për atë se e kanë kuptuar se e kishin krejt të pamundur të përballonin ritmin e kampionëve.
Ndërkaq, një lojtar si Arsid Kruja është pak për një skuadër si Vllaznia. Edhe në kushte kur lojtari me nr. 14 sa herë binte në kontakt me topin shkaktonte alarm tek e gjithë mbrojtja korçare, sërish Vllaznia nuk është dukur në fushën e lojës. Kruja ishte pak për Vllazninë në këtë takim në fushë të huaj edhe për atë se pjesa tjetër e ka mbështetur pak lojën tek ky futbollist, që pa frikë luan me skuadrat më të mira të kampionatit tonë. Duke mbetur tek Vllaznia e lojtarët e saj, dukej pak për një ekip të ndërtuar për të përballuar një si Skënderbeu, e për më tepër kur luante në fushën e kampionëve në fuqi.
Shkurt, një ekip si Vllaznia nuk e kisha parë herë tjetër dobët. Pa thënë diçka tjetër. Qoftë dhe për këtë të fundit dikush duhet të mbetët pa gjumë për këtë ekip të njohur të futbollit shqiptar. Nëse një sezon më parë ka shpëtuar në “fije të perit”, siç thonë shkodranët, këtë sezon nëse nuk merren masa vështirë të ndodh edhe një herë tjetër kjo puna e “perit”.
Skënderbeu – Vllaznia 3-0
Shënues: Dimo 20’, Peter 58’, Vangjeli 76
Skënderbeu: Shehi, Arapi, Osmani, Radas, Vangjeli, Dimo (Abazi 64’), Alikaj, Shkëmbi, Ribaj, Peter (Nimaga 81’), Martins (Sefa 73’). Trajner: M. Josa
Vllaznia: Selimaj, Gocaj, Beqiri, Sykaj, Boçi, Tafili, Dema (Markolaj 79’), Shtubina (Veçaj 71’), Kruja, Hajdari (Soza 62’), Dibra. Trajner: B. Ranieri
Gjyqtarë: K. Cjapi, I. Tartaraj, O. Grabova (Fier)
Kartonë të verdhë: Vangjeli / Shtubina
Minutat e golave:
20’ Ribaj nga e djathta e sulmit ka lëshuar një top në zonën shkodrane, sfera përplaset tek Selimaj dhe bie në “tavën” e Dimos, i cili nuk e ka pasur aspak të vështirë për ta shtyrë atë për në rrjetë thuajse me “çorape” 1-0
58’ Bledi Shkëmbi ka nisur saktësisht një top për Peter, i cili më kokë ka shënuar golin e parë për veten dhe të dytin për Skënderbeun. 2-0
76’ Vangjeli me një gjuajtje nga ato të vetat, edhe duke qenë jashtë zone e ka gjetur lehtësisht rrjetën e Selimaj, që duhet thënë se disa herë ka qenë vetëm ai që ka ndaluar gola të tjerë. 3-0