AlbanianSport.com 15.01.2016 21:20
ASNN – Në një intervistë eksluzive për televizionin informativ shqiptar, “ABC News”, Drejtori Sportiv i Skënderbeut, Haris Fakiç shpjegon rekordet e klubit korçar në merkato. Sipas tij, pjesëmarrja në fazën e grupeve të Ligës së Evropës u dha mundësi futbollistëve të tregojnë vlerat e tyre edhe në arenën ndërkombëtare. Madje, pjesëmarrja në këtë fazë të veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit, jo vetëm që vendosi një rekord për skuadrat shqiptare në turnetë ndërkombëtarë, por e ngriti Skënderbeun në një tjetër nivel.
Konfirmimi vjen nga të ardhurat e klubit korçar në merkaton e janarit. Shitja e Piter Olajinkës tek Genti në Belgjikë dhe e Bernard Berishës te Anzhi i Mahaçkallas në Rusi kanë sjellë në arkën e klubit rreth 1.6 milionë euro. Një një tjetër rekord, por ashtu siç shpjegon Drejtori Sportiv i Skënderbeut, Haris Fakiç, edhe një kartëvizitë e re me të cilën prezantohet klubi dhe futbolli shqiptar në Evropë. Olajinka e Berisha nuk janë të vetmit futbollistë të Skënderbeut në shënjestër të klubeve të Evropës. Por vetëm njëri prej tyre mund të largohet.
Jo vetëm largime. Skënderbeu është aktiv edhe në afrimin e futbollistëve të rinj. Braziliani Renatinjo dhe talenti me origjinë shqiptare Nafiu janë bashkuar gjatë merkatos së dimrit me skuadrën e Josës. Ndërkohë lojtarë të tjerë janë në shënjestër të klubit, teksa skuadra vazhdon fazën përgatitore në Marbeja të Spanjës. Deri tani skuadra e Mirel Josës ka zhvilluar dy ndeshje miqësore, ndërsa ka në program dy sfida të tjera përpara rikthimit në Shqipëri.