AlbanianSport.com 30.10.2014 10:50
ASNN – Të gjithë kanë besuar se kjo ndeshje me Elbasanin do të prodhonte gola, aq më tepër që Skënderbeu vinte pas asaj fitoreje 3-0 ndaj Vllaznisë dhe priste në Korçë skuadrën e vendit të fundit, e cila duket se nuk ka më synime në Kategorinë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.
Ajo që nuk pritej, ndodhi, kampionët janë kënaqur vetëm me një gol dhe i gjithë 90-minutëshi mund të cilësohet pa frikë i një niveli nën mesataren e një loje futbolli. Ka mjaftuar vetëm një gol i Piter Olajinkës në fillimin e pjesës së dytë, ndërkohë që dje u thyhen shumë rekorde negative në fushën e lojës.
Skënderbeu zbriti vetëm 6 herë në portën elbasanase, i thënçin 6 herë, ndërkohë që miqtë verdheblu as që e kanë vizituar asnjëherë portën e mbrojtur nga Shehi. Hera-herës, në ndeshjen e djeshme, dy portierët Kotorri dhe Shehi kanë kryer edhe lëvizje në zonat e tyre, pasi ishin thjesht spektatorë në fushë dhe vetëm sa ndiqnin me sy lojtarët kur qarkullonin topin në fushën e lojës.
Me pak fjalë, një 90-minutësh i mërzitshëm, aq sa edhe lojtarët në fushë mezi prisnin të përfundonte. Gjithsesi vetëm trepikëshi ka kënaqur korçarët, që për herë të parë në këtë sezon shijojnë dy fitore radhazi.