AlbanianSport.com 19.08.2015 23:15
ASNN – Ka qenë një fund i hidhur për korçarët e Skënderbeut ai i sotmi në mbrëmje. Skuadra e trajnerit Mirel Josa është mundur 2-1 nga Dinamo e Zagrebit në ndeshjen e parë, të vlefshme për “play-off”-in e Ligës së Kampioneve. Kampionët e Shqipërisë nuk kanë mundur dot të administrojnë epërsi që i dha goli i Bledi Shkëmbit në pjesën e parë dhe kanë pësuar dy herë në 45 minutat e dyta të sfidës, duke e mbyllur këtë ndeshje si humbës. Tashmë kualifikimi duket shumë larg për Skënderbeun që pas një jave do të luajë ndeshjen e kthimit në Kroaci.
Kështu, në ndeshjen e parë të fazës së “play-off”-it të veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të kontinentit, Skënderbeu është mposhtur 1-2 në “Elbasan Arena” nga Dinamo e Zagrebit, që përmbysi rezultatin e pjesës së parë në minutat shtesë. Blendi Shkëmbi realizoi një gol të shkëlqyer nga goditja e dënimit në fundin e pjesës së parë, ndërsa kroatët përmbysën gjithçka në 45 minutat e dyta. Fillimisht Soudani barazoi rezultatin, ndërsa në minutën e 93-të, Pivariç shënoi golin e fitores për kroatët. Në të vërtetë, pjesa e parë ka kaluar me një dominim të lehtë të miqve.
Ata kanë pasur disa raste shumë të mira, por nuk kanë arritur të gjejnë rrugën e golit. Kampionët e Shqipërisë e nisën ndeshjen duke ushtruar presion, por pasiguria në mbrojtje bëri që kroatët të depërtonin shumë lehtë në zonë dhe të rrezikonin portën e Shehit. Në minutën e 7-të, Soudani i Dinamos gjuan fuqishëm nga jashtë zone, por topi u devijua në goditje këndi. Në të 28-tën, sërish rast i mirë për Dinamon, por për fatin e mirë të Skënderbeut, Hoxhiç nuk ishte i saktë. Soudani rrezikon sërish, kësaj radhe me kokë, por preku lehtë shtyllën horizontale dhe përfundoi jashtë.
Në minutën e 36-të, një aksion i shpejtë i Skënderbeut sheh Radasin që lë pozicionin e tij për t’i dhënë një ndihmë sulmit. Mbrojtësi gjen shkodranin, i cili ia jep topin Latifit, i cili pengohet pranë zonës. Pikërisht këtu, Shkëmbi nuk mund të gabonte dhe shënon për 1-0. Pas shënimit të golit, Skënderbeu kthehet mbrapa, por fati i ka shpëtuar edhe njëherë. Në minutën e fundit të pjesës së parë, Shehi bën një pritje spektakolare për të shpëtuar të tijtë dhe për t’i çuar në pushim me një gol epërsi. Pjesa e dytë e ndeshjes nisi më mirë për korçarët, krahasuar me 45 minutat e para ku gabimet në mbrojtje ishin të shumta.
Skënderbeu shpërdoroi raste të pastra shënimi, fillimisht me Nimagën dhe, më pas, me Salihin, i cili gaboi një rast flagrant teksa u gjend i vetëm pranë portës. Ndërsa në minutën e 67-të, kroatët shënuan me Soudanin, i cili e kishte të lehtë të shënonte me portën e boshatisur, pasi mori një pasim nga Pjaca. Në minutat e mbetura korçarët treguan shenja lodhjeje, ndërsa shpëtimtar i tyre ishte portieri Shehi, që shpëtoi portën pas një goditje nga jashtë zone. Më pas kroatët goditën edhe shtyllën, ndërsa goli i fitores për miqtë u shënua në minutën e tretë të shtesës me Pivariçin.
Tashmë, kualifikimi për në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve për Skënderbeun është një mision i vështirë, pasi i nevojitet një fitore me të paktën dy gola të shënuar. Megjithatë edhe në rast skualifikimi, Skënderbeu tashmë e ka kryer misionin e tij, pasi ka të sigurt kalimin në fazën e grupeve të veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit, Ligës së Evropës. Kjo humbje ishte e para për Skënderbeun, i cili, deri sonte, ishte i pamposhtur në shtatë ndeshje evropiane të luajtura në shtëpi, ku kishte korrur 6 fitore dhe kishte marrë një barazim.
Skënderbeu – Dinamo Zagreb 1-2
Shënues: Shkëmbi 37’/ Soudani 66’, Pivariç 90’+3
Skënderbeu: Shehi, Vangjeli, Radas, Jashanica, Eskardinja, Lilaj, Shkembi, Nimaga, Berisha, Latifi, Salihi. Trajner Mirel Josa
Dinamo Zagreb: Eduardo, Sigali, Travel, Pinto, Pivariç, Maçado, Soudani, Santos, Hodzic, Rog, Pjaca; Trajner: Zoran Mamiç
Gjyqtar: Sergei Karasev.