AlbanianSport.com 19.06.2015 14:15
ASNN – Skënderbeu merr dy përforcime të tjera, ndërsa bashkohen me ekipin Bernard Berisha dhe Kabrali. Në Austri, gjithçka po shkon mirë në përgatitjet për Ligën e Kampioneve. Dy përforcime edhe tek Skënderbeu, ndërsa kampionia shqiptare duket shumë mirë, në ndeshje përgatitore dhe në stërvitje.
Pas fitores së miqësores ndaj rumunëve të Botosanit, korçarët morën lajmin e mirë se sulmuesi vlonjat Arbër Abilaliaj do të jetë me ta sezonin e ardhshëm, po ashtu si mesfushori Bujar Shabani, ardhur nga Ferronikeli i Kosovës. Ata kanë firmosur kontratat me presidentin Takaj, vlonjati për një sezon, dhe shqiptari i Kosovës për dy.
Trajnerit Mirel Josa i kanë ardhur edhe dy lojtarë të tjerë. Njëri është mesfushori sulmues kosovar Bernard Berisha, që ishte edhe vjet në Korçë, ndërsa tjetri është mesfushori brazilian, Romulo Kabral. Ky i fundit është blerje e re, që duhej të kishte ardhur përpara disa ditësh.
Sidoqoftë, pritja përfundoi dhe ai nisi stërvitjen me skuadrën. Trajneri ka tashmë në dispozicion edhe Liridon Latifin e Bruno Lulajn që ishin të grumbulluar me përfaqësuesen e Nën-21-vjeçarëve të Shqipërisë, si dhe afrikanin Bakari Nimaga, të tre lojtarë që ishin edhe sezonin e kaluar.
Gjithçka ka shkuar mirë për Josën pasi jo vetëm është konfirmuar skuadra që doli kampion, por edhe kanë ardhur 6 futbollistë të rinj, dy sulmues e 4 mesfushorë. Skënderbeu ndodhet në Flakau të Austrisë, një qytezë me klimën e duhur për fazën përgatitore të verës, por edhe që jep mundësi të zhvillohen përgatitje të nivelit të lartë.
Pas fitores me rumunët e Botosanit, korçarët kanë në plan edhe ndeshjet me Spartakun e Trnavës nga Sllovakia, LASK-un e Lincit nga Austria, Duisburgun gjerman, Dinamon e Kievit dhe gjermanët e tjerë të Eintrahtit të Braunshvajgut.