Adriatik Balla 24.05.2015 16:50
Ende pa kaluar 24 orë nga fundi i sezonit, Skënderbeu ka nisur të mendojë për Evropën dhe vitin e ardhshëm. Kampionët e Shqipërisë zyrtarizojnë dy rinovimet e para në prag të ndeshjeve eliminatore të Ligës së Kampioneve. Leonit Abazi dhe Bajram Jashanica kanë hedhur firmën në kontratën e re të propozuar nga presidenti Ardian Takaj.
Ata kanë rinovuar bashkëpunimin me “kampionët” e Shqipërisë edhe për sezonin e ardhshëm. Mbrojtësi Jashanica u bashkua me skuadrën korçare verën e kaluar, ndërsa Abazi është vënë nën urdhrat e trajnerit Mirel Josa rreth dy vjet më parë. Paraqitjet e tyre në sezonin e fundit e kanë bindur trajnerin kryeqytetas të kërkojë rinovimin e kontratave.
Ruajtja e grupit aktual është edhe objektivi kryesor i presidencës që synon gjithashtu të afrojë edhe një numër të kufizuar lojtarësh për të forcuar skuadrën që këtë sezon ka si objektiv fazën e grupeve të Ligës së Evropës. Gjatë ditëve të ardhshme, shoqëria do të
vazhdojë punën për rinovimin e kontratave të pjesës tjetër të lojtarëve.