AlbanianSport.com 08.01.2016 14:40
ASNN – Skënderbeu ngjitet në vendin e 108-të në renditjen botërore të klubeve, një rekord absolut ky për Shqipërinë. Në këtë nivel të lartë, kampionët arritën në mbyllje të vitit 2015. Vlerësim i madh u bë nga institucioni më i mirë i mundshëm dhe tepër prestigjioz, si Instituti Ndërkombëtar i Historisë dhe Statistikave në Futboll, vlerësimet e të cilit janë të barabartë me ata të UEFA-s apo FIFA-s.
Korçarët kanë arritur aty ku ekipet shqiptare as nuk kanë ëndërruar që të jenë, dhe vetëm pak u ka munguar që të bënin pjesë në grupin e 100 më të mirëve në planet. Ecuria shumë e mirë në kontinent, ku u kualifikua për herë të parë në fazën e grupeve të Ligës së Evropës bëri që bardhekuqtë e trajnerit Josa të fitonin 261 vende në vetëm 12 muaj, pasi për vitin 2014 ishin të pozicionuar të 369-ët në renditje.
Skënderbeu ka lënë pas klube me shumë më tepër emër dhe me buxhet shumë herë më të madh sesa ai, si Evertoni apo Uest Hemi në Angli, Torino në Serinë A, Lioni në Francë apo Panathinaikosi në Greqi. Falë rritjes së nivelit të Skënderbeut, por edhe të Kukësit, si dhe për shkak të konkurrencës së sezonit të kaluar, Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit është ngjitur në vendin e 59-të në botë, duke fituar 21 vende.