AlbanianSport.com 25.03.2017 09:45
ASNN – Skenat e shëmtuara që çuan edhe në ndërprerjen e përkohshme të ndeshjes midis Italisë dhe Shqipërisë, kanë patur padyshim autorë dhe autoritetet italiane kanë nisur që mbrëmë të arrestojnë dhe të ndalojnë tifozët që prishën ndeshjen.
“DIGOS”, polica e specializuar në Itali që zakonisht merret me ngjarjet e dhunshme si ato të mbrëmshmet në “Renzo Barbera” të Palermos, ka filluar menjëherë punën për të ndalur elementët e dhunshëm që sollën ndërprerjen e ndeshjes.
Sikundër mësohet, ndërsa kontrolloheshin nga larg tifozët, zyra operative kontrollonte kamerat e sigurisë duke identifikuar të gjithë personat e dhunshëm apo ato që ndezën e hodhën fishekzjarrë e flakadanë në stadium.
Sipas mediave italiane, është arrestuar menjëherë gjatë ndeshjes një tifoz shqiptar, i cili po hidhte fishekzjarrët, ndërsa më pas janë identifikuar edhe 77 mbështetës të tjerë të Shqipërisë të cilët janë në kërkim pasi ndiqen penalisht.