AlbanianSport.com 12/08/2021 14:45
ASNN – Sistemi i Ndihmërgjyqtarit të Videos (VAR – Video Assistent Referee) do të jetë risia dhe investimi më i madh i Federatës Shqiptare të Futbollit në edicionin e ri të Kategorisë Superiore që fillon në 11 shtator. Procesi ka mbërritur në fazën finale dhe gjithçka duket gati për startin e sezonit të ri, duke parë që po zhvillohen testimet dhe trajnimet e fundit për të filluar aplikimin e tij nga java e parë.
Procesi ka qenë i ndarë në 3 faza, ku në të parën janë zhvilluar seminarët teorikë me gjyqtarët ku u prezantuan me teknologjinë, u dhanë informacionet mbi mënyrat e përdorimit të aparaturave për të gjithë stafin teknik dhe atë të gjyqtarëve. Seminaret janë udhëhequr nga Aleksandër Papën, përfaqësues i kompanisë “EVS” dhe Majk Van Der Rëst, udhëheqës i projektit “VAR” në FIFA.
Në fazën e dytë janë zhvilluar trajnime me raste konkrete nga lektorë të FIFA-s dhe Bordit Ndërkombëtar të Shoqatave të Futbollit (IFAB), ku vetë Drejtori Teknik David Ellerej mbërriti në FSHF dhe shpjegoi në detaje rastet e prekjes së topit me dorë në zonë, ndryshimet e reja të rregullave të lojës, si edhe u ndal te protokolli i sistemit VAR përsa i përket vendim-marrjes në fushë.
Aty ku janë përdorur edhe situata të shkëputura nga sfida të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Faza e 3-të dhe e fundit, e cila po aplikohet hëpërhë, është trajnimi në fushë, me ndeshje të vërteta dhe në stadium ku transmetimit televiziv i bashkangjitet edhe Sistemi VAR, në të cilat gjyqtarët veprojnë si në ndeshje të vërteta, ku në rast vendimesh të dyshimta komunikojnë me VAR dhe kërkojnë ndërhyrjen e tij.
“Training on side” (trajnimi në fushë) është një proces ku secili gjyqtar do të duhet të drejtojë së paku 4 ndeshje me Sistemin VAR përpara se të certifikohet për përdorimin e tij. Pas ndeshjeve që janë zhvilluar mbrëmë dhe sot paradite në stadiumin “Selman Stërmasi”, në mbrëmje ndeshja Teuta-Shamrok Rovers do të jetë me “VAR”, por “off-line”.