AlbanianSport.com 13/10/2021 11:40
ASNN – Shënuesi i golit flet për incidentin me tifozët, mediat polake e cilësojnë “skandal”. Ka qenë një reagim interesant ai i medieve polake pas fitores 1-0 të arritur të martën në Tiranë ndaj Shqipërisë, në takimin e vlefshëm për grupin I të Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2021”.
Natyrisht, një nga reagimet më interesante ishte ai i shënuesit të golit të fitores, Karol Shviderskit, i cili, duke folur për median vendase, Polsat Sport, ka bërë një pohim të sinqertë, duke thënë se ishte pjesërisht faji i tij që shkaktoi irritimin e tifozëve shqiptarë dhe ndërprerjen për afro 20 minuta të takimit.
“Ne e dinim që atmosfera aty do të ishte e nxehtë, – ka pohuar ai për median në fjalë, duke vijuar: “Por reagimi i tifozëve në atë mënyrë ishte edhe faji ime. Unë vrapova drejt tyre pa qenë nevoja, për të festuar, po kjo ndodhi në dallgën e emocioneve që të kaplon në ato çaste.”
Sulmuesi polak ka theksuar se, sidoqoftë, Shqipëria është një skuadër shumë e mirë dhe këtë e tregoi edhe në fushën e blertë. Ndërkaq, media sportive, “przeglad sportov” thekson faktin, se pas kësaj fitoreje, polakët e kanë në duart e tyre fatin, të paktën sa i takon vendit të dytë dhe se ata do të bëjnë tifo, edhe pse e vështirë, për një të papritur të madhe në ndeshjen e Shqipërisë me Anglinë në “Uembli”.
Por shumica e medieve polake e kanë patur lajtmotiv të tyre fjalën “skandal” për atë që ndodhi në Tiranë të martën në mbrëmje, ku tifozët hodhën shishe plastike dhe objekte të tjera në fushë në momentin e shënimit të golit nga skuadra mike.