AlbanianSport.com 06.05.2015 17:40
ASNN – Para fillimit të këtij edicioni të Ligës Ballkanike, krerët e SIGAL Prishtinës patën premtuar titullin e kësaj veprimtarie ndërkombëtare, shkruan sot e përditshmja e mirënjohur kosovare, “Koha Ditore”.
Premtimin e përsëritën edhe në momente kur skuadrës nuk po i ecte mirë. SIGAL Prishtina ishte e vendosur të kurorëzonte sezonin me titull dhe në fund këtë e arriti, por kostoja nuk ishte e vogël.
Në fillim, skuadra kryeqytetase mori 4 lojtarë të huaj, gjatë sezonit bëri shumë ndërrime në organikë, përfshirë këtu edhe trajnerin, dhe në fund mbylli sezonin me 6 të huaj, përfshi këtu edhe trajnerin.
E gjithë kjo kishte një kosto të madhe financiare, shpenzim të buxhetit me mbi 400 mijë euro. Në fund, skuadra mori 10 mijë euro shpërblim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe pritet të marrë rreth 5 mijë të tjera nga Liga Ballkanike.