AlbanianSport.com 06.01.2016 17:05
Gjeneva, Parisi dhe Lila janë 3 qytetet kandidate për të pritur Kombëtaren kuqezi, ndërsa përgatitjet e Federatës Shqiptare të Futbollit për pjesëmarrjen e parë në një Kampionat Evropian pritet të intensifikohen në javët në vijim. Duke folur ekskluzivisht për AlbanianSport.com, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, ka folur edhe përsa i përket ndërtimit të Stadiumit të ri Kombëtar.
Shqipëria do të marrë pjesë për herë të parë në fazën finale të një Evropiani futbolli dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, ka zbuluar se në ç’fazë janë përgatitjet për këtë qëllim. “Besoj që gjatë këtyre ditëve të janarit besoj se do të zgjidhet përfundimisht edhe destinacion i “shtëpisë” së Kombëtares gjatë pjesëmarrjes në “Francë 2016””, – ka thënë ai.
Shulku ka zbuluar edhe destinacionet kandidate për të mirëpritur Kombëtaren kuqezi, si dhe mënyrën sesi do të përdoren të ardhurat nga Evropiani. “Pak a shumë janë dy-tre mundësi zgjedhjeje, që mund të jenë Gjeneva, që mund të jetë Parisi apo Lila”, – ka sqaruar nr. 2 i organizmit që qeveris futbollin shqiptar, i cili ka folur edhe përsa i përket ndërtimit të Stadiumit të ri Kombëtar.
“Ideja fillestare ka qenë do të ishte janari muaji kur do të prishej, apo do të nisej prishja e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, por besoj që brenda këtyre dy-tre muajve, pra janar, shkurt dhe mars, do të nisë prishja e tij”, – ka thënë ai. Kjo ishte një përmbledhje e intervistës që Ilir Shulku dha për AlbanianSport.com, ndërsa në orët në vijim do t’jua sjellim të plotë intervistën e tij, me tekst dhe video.