AlbanianSport.com 27.01.2015 19:15
ASNN – Pasi kanë mësuar se dhe ndeshja mes Vllaznisë dhe Kukësit është bërë pjesë e hetimeve të Komisionit të Disiplinës dy klubet kanë hedhur poshtë akuzat për trukimin e rezultatit në javën e 19-të të Superligës. Në daljen përpara mediave, administrator i klubit Vllaznia, Neritan Kalamishi ka bërë të ditur se prokuroria duhet të hetojë në lidhje me këto dyshime. Nga dyshimet për trukimin e rezultatit të ndeshjes të fundit të luajtur në Shkodër është distancuar edhe klubi i Kukësit.
Në një deklaratë publikuar në faqen e vet zyrtare në Internet, klubi kuksian bën të ditur se nuk do të bëhej asnjëherë pjesë e këtyre “pazareve” dhe se skuadra verilindor garon me meritë për të fituar titullin “kampion”. Pak orë pas reagimit të Kukësit është pozicionuar zyrtarisht në lidhje me akuzat për trukim në ndeshjen e fundjavës së kaluar edhe Vllaznia që i kërkon organit të akuzës prokurorisë të zbresë në fushë edhe në Shkodër.
Në një qëndrim të qartë dhe të drejtëpërdrejt klubi kuqeblu bën të ditur se “nisur nga komentet e ditëve të fundit në lidhje me deklarimet e ngritura në media, për një trukim të mundshëm të ndeshjes Vllaznia-Kukësi, Klubi i Futbollit “Vllaznia” i kërkon prokurorisë të nisë një hetim të plotë në lidhje me këto deklarata.” Vllaznia shprehet madje e gatshme që të hetohet, jo vetëm për këtë ndeshje, por për çdo takim të kaluar të skuadrës në kuadër të transparencës.
Ndërkohë që, në të njëjtën kohë, klubi shkodran fton çdo person që ka prova apo fakte në lidhje me këto raste, ti drejtohet prokurorisë për hetimin e tyre dhe të mos dezinformohet opinioni publik me qëllime dashakeqe pasi kështu po tentohet t’i shkaktohet një dëm i madh për emrin dhe imazhin e klubit më të vjetër të futbollit në vendin tonë.