AlbanianSport.com 01.05.2015 16:10
ASNN – Trukimet e ndeshjeve në Norvegji kanë cuar pas hekurave dy futbollistë shqiptarë. Drin Shala dhe Alban Shipshani janë dënuar me nga 8 muaj burg secili nga Gjykata Federale e Oslos pasi janë shpallur fajtorë për fiksimin e ndeshjeve në ligën e tretë të futbollit norvegjez.
Së bashku me dy futbollistët shqiptarë gjykata ka dënuar me 6 muaj burg edhe lojtarin tjetër të Follos, Pape Mendi. Drin Shala akuzohet se ka marrë pjesë në trukimin e ndeshjes së vitit 2012 mes Follos dhe Ostsiden, një ndeshje që ka pasur një përmbysje të çuditshme nga 3-0 për skuadrën e Shalës në 3-4 për Ostsiden.
Ndërkohë Alban Shipshani, i cili luan me skuadrën e Asker, akuzohet se ka ndikuar në fiksimin e rezultatit të sfidës të vlefshme po për kategorinë e tretë norvegjeze mes Asker dhe Frig, që përfundoi me fitoren 7-1 të këtyre të fundit. Edhe ky takim është zhvilluar në vitin 2012.
Gjykata Federale e Oslos pasi përgjoi telefonatat e bëra nga futbollistët gjatë asaj periudhe mori vendimin ekstrem për t’i dënuar me burg ata.