AlbanianSport.com 21/12/2018 20:45
ASNN – Në ceremoninë gala të fundvitit, Federata e Futbollit e Maqedonisë shpërndau çmimet për lojtarët më të mirë të vitit 2018, ku ndodhi një surprizë e madhe dhe mjaft e bukur për shqiptarët. Ishin pikërisht futbollistët shqiptarë që rrëmbyen çmimet e mëdha, duke e bërë mbrëmjen e fundvitit të futbollit maqedonas të flasë shqip. Kështu, Besar Ibraimi, sulmuesi i Shkëndijës, i cili realizoi 23 gola gjatë vitit 2018, u shpall lojtari më i mirë i kampionatit maqedonas.
Një çmim i merituar në mënyrë të padiskutuar. Kulmi i mbrëmjes erdhi me trajnerin Qatip Osmani, si trajneri i skuadrës fituese në kampionat e kupë në Maqedoni dhe që udhëhoqi Shkëndijën deri në fazën e “play-off”-it të Ligës së Evropës. Osmani u vlerësua si trajneri më i mirë. Ai falënderoi të gjithë ata që e kishin votuar dhe përgëzoi sidomos krerët e klubit të Shkëndijës që kishin investuar mjaft për skuadrën tetovare dhe suksesin e saj.
Ndërkohë, lojtari më i mirë maqedonas që luan jashtë Maqedonisë, u shpall lojtari tjetër shqiptar, Enis Bardhi, i cili ka bërë një paraqitje mjaft të mirë me Levanten në kampionatin spanjoll. Edhe Bardhi nuk ishte surprizë, pasi bëri një vit kalendarik mjaft interesant me lojë të mirë dhe me gola të rëndësishëm për skuadrën e tij. Ishte hera e parë ndër vite që çmimet e më të mirëve në mbrëmjen gala të fundvitit në futbollin maqedonas e dominonin absolutisht shqiptarët.
Dhe për këtë duket se meritat i shkojnë klubit të Shkëndijës së Tetovës, e cila po dominon kampionatin e Maqedonisë në 3 vitet e fundit.