AlbanianSport.com 04.09.2015 22:40
ASNN – Shqipëria ka arritur të parin rezultat historik në tokën daneze, ku ishte mundur në 4 takimet e deritanishme, duke marrë një barazim pa gola ndaj përfaqësueses vendase dhe duke mbetur në rrugë të mbarë për një kualifikim historik për në “Euro 2016”. Kombëtarja kuqezi ka marrë një pikë mjaft t]ë vlefshme në barazimin pa gola të premten në mbrëmje në Danimarkë ndaj përfaqësueses vendase, në takimin e vlefshëm për grupin I të Eliminatoreve të Evropianit të Futbollit “Francë 2016”.
Takimi, që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka qenë kryesisht i barazpeshuar, me një pjesë të parë ku përfaqësuesja vendase ka bërë një vëllim më të madh loje, por me Shqipërinë më të rrezikshme në rastet e krijuara para portës. Madje portieri danez, Shmajkel, është detyruar të reagojë në minutën e 23-të, për të dërguar në fundore një goditje me kokë të Sokol Cikalleshit, që ishte në fakt rasti më i mirë i kësaj ndeshjeje.
45 minutat e para do të mbyllen me rrjeta të paprekura, ndërsa ato të dytat kanë qenë më të luftuara, me Danimarkën më kërkuese dhe më këmbëngulëse në rastet e krijuara përpara portës kuqezi, ku ka gjetur një Etrit Berisha në formë të shkëlqyer dhe të paepur. Gardiani i portës kuqezi ka qenë vendimtar në duelin e tij personal me sulmuesin kryesor të Danimarkës, Bend-tner, por edhe me lojtarët e tjerë vendas, që kanë kërkuar dhe provuar, pa sukses, të gjejnë rrugën e rrjetës.
Danimarka ka krijuar dhe humbur raste të shumta për shënim, ndërkohë që mbrojtja kuqezi është mbajtur, duke synuar të mbrojë barazimin. Madje Shqipëria ka patur një shans të artë në minutën e dytë shtesë, por i sapofuturi Roshi nuk ka arritur ta mposhtë portierin danez nga një pozicion i volitshëm. Sidoqoftë, mbyllet me rrjeta të paprekura kjo ndeshje dhe Kombëtarja kuqezi merr pikën që e mban në lojë për një kualifikim historik.