AlbanianSport.com 08/02/2024 18:55
ASNN – Është hedhur të enjten në mbrëmje në kryeqytetin e Francës, Paris, shorti i fazës së grupeve të Ligës së Kombeve për edicionin 2024-2025, që është edhe edicioni i 4-t i saj. Dhe Shqipëria, e cila ndodhet në nivelin e dytë, në Ligën B, ka njohur kundërshtaret e saj në grup, një grup që në fakt mund të quhet një grup evropianolindor sa i përket gjeografisë.
Veprimtaria e dytë e përfaqësueseve të kontinentit evropian, Liga e Kombeve, ka hedhur të enjten në mbrëmje në kryeqytetin e Francës, Paris, shortin e fazës së grupeve për edicionin 2024-2025, që është edhe edicioni i 4-t i saj. Dhe Shqipëria, e cila ndodhet në nivelin e dytë, në Ligën B, ka njohur kundërshtaret e saj në grup, një grup që në fakt mund të quhet një grup evropianolindor.
Kështu, kuqezinjtë e trajnerit Silvinjo do të përballen në grupin e parë, B1, me Republikën Çeke, Ukrainën dhe Gjeorgjinë, kundërshtarë pak a shumë të njohur për Shqipërinë. Me çekët, Kombëtarja ishte në grupin e Eliminatoreve të Evropianit 2024, duke u marrë një barazim në shtëpinë e tyre, duke i mundur bindshëm në Stadiumin “Arena Kombëtare” dhe duke i lënë në vendin e dytë të renditjes në rrugën drejt Gjermanisë.
Siç dihet tashmë, ndeshja e parë e fazës së grupeve do të luhet në datat 5-7 shtator 2024, ndeshja e dytë në datat 8-10 shtator, ndeshja e 3-të në datat 10-12 tetor, ajo e 4-t në datat 13-15 tetor, ajo e 5-ta në data 14-16 nëntor dhe ndeshja e 6-të dhe e fundit më 17-19 nëntor 2024. Pozitiv për Shqipërinë është fakti se ka ndryshuar edhe formula e ngjitjes dhe zbritjes nga çdo Ligë.
Kështu, përveç vendit të parë në grup, që ngjitet automatikisht në Ligën A, edhe skuadra e vendit të dytë në grupet e Ligës B, shkon në një “play-off” me të 3-tën e Ligës A, duke patur kështu një tjetër mundësi për të synuar ngjitjen, ndryshe nga ç’ndodhte deri më tani