AlbanianSport.com 12/10/2021 23:55
ASNN – Përsëritet historia, Levandovski me shokë marrin 3 pikë, ëndrra kuqezi e Botërorit tretet në horizont. Kombëtarja shqiptare e futbollit është ndeshur të martën në mbrëmje me Poloninë, në takimin e vlefshëm për grupin I të Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”, që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Në fakt, pjesa e parë e ndeshjes së luajtur në Stadiumin “Arena Kombëtare” në kryeqytet dhe ka nisur e barazpeshuar, me një lojë të luftuar në mesfushë.
Por minuta e 9-të sjell 3 përpjekje të rrezikshme të kuqezinjve dhe Uzuni e Manaj bllokohen nga mbrojtja, kurse Ramadani është i pasaktë në goditjen nga larg. Ndeshja ndizet dhe 5 minuta më pas, në krahun e kundërt të fushës, janë polakët që rrezikojnë seriozisht pas një rrëmuje në zonën e Kombëtares. 35 minutat e mbetura do të vijojë të karakterizohen nga një lojë e ngjeshur, me të dyja skuadrat që me intervale të shkurtëra e zhvendosin lojën sa tek zona e njërës e sa tek zona e tjetrës, por pa arritur të krijojnë raste të mirëfillta apo të pastra për shënim.
Ndërsa nuk ka munguar as nervozizmi që ka sjellë edhe nga një karton të verdhë për secilën skuadër, teksa Ismajli për kuqezinjtë dhe Buksa për polakët e shkruajnë emrin në bllokun e gjyqtarit. Kësisoj 45 minutat e para mbyllen me rrjeta të paprekura. Edhe pjesa e dytë do të kenë të njëjtën tablo në 20 minutat e para, me një lojë të ngjeshur dhe të luftuar. Por minutat nga e 65-ta deri në 71-tën do të jenë nervoze për kuqezinjtë, pasi fillimisht është i sapofuturi në fushë, Lenjani, ai që u dhuron polakëve një mundësi të artë për të shënuar pas një gabimi brenda zone.
Ndërsa më pas Berishës i duhet të bëjë një pritje të rëndësishme, pas një tjetër topi të humbur nga Kombëtarja dhe Polonia ka qenë dy herë brenda pak minutash pranë golit dhe kjo jo për meritë të saj. Por skuadra mike do ta ndëshkojë shpërqendrimin kuqezi në minutën e 77-të, kur Sviderski do të përfitojë nga një harkim i saktë nga e djathta dhe do të godasë në pozicion të prirët dhe do të përshëndesë rrjetën. Por festimi i golit i ka vendosur futbollistët polakë nën një shi shishesh plastike dhe ndeshja është ndërprerë përkohësisht nga delegati i ndeshjes.
Dhe pas 20 minutash ndërprerje dhe paralajmërimit të braktisjes së ndeshjes në rast të përsëritjes së atij episodi të shëmtuar, ndeshja ka rinisur. Polonia e administron mirë epërsinë minimale, madje Levandovski ka rrezikuar të shënojë edhe golin e dytë, por Berisha e bllokon mirë, ndërsa minutat e fundit të kohës së rregullt shohin Shqipërinë të këmbëngulë. Por Broja nuk e ka qartësinë as në përpjekjen, e as forcën në goditjen e tij më pas. Mbyllet kështu me humbjen minimale, por mjaft të hidhur të Shqipërisë kjo përballje me Poloninë dhe kuqezinjtë e Rejës dorëzojnë vendin e dytë të renditjes dhe ëndrra “Botëror” nis të tretet në horizont.