AlbanianSport.com 02/09/2021 22:55
ASNN – “Kapitullon” 1-4 në Varshavë dhe pëson humbjen e dytë në këto 4 ndeshje. Shqipëria është përballur të enjten me Poloninë në Stadiumin “Narodovi” të Varshavës, në atë që ishte takimi i 4-t për të dyja skuadrat në kuadër të grupit I të Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022” për zonën e Evropës. Ndeshja që është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka parë të dyja skuadrat të luajnë ngjeshur në 10 minutat e para, por, në të 13-tën, janë vendasit që kalojnë të parët në epërsi, me një skemë të finalizuar me sukses nga Levandovski.
Përtej pësimit të golit, Kombëtarja kuqezi nuk tulatet, por e zhvendos lojën menjëherë në gjysmëfushën polake, duke kërkuar dhe provuar ta godasë portën polake. Dhe 12 minuta pas pësimit të golit, Shqipëria barazon shifrat, kur pasimi i Gjasulës kthehet zgjuarsisht në rrjetë nga Cikalleshi. Shqipëria vazhdon të luajë si barabartë dhe madje edhe të guxojë dhe në minutën e 32-të janë instinktet e Zheznjit që e shpëtojnë Poloninë nga pësimi i golit të dytë. 8 minuta më pas, është sërish Manaj që godet befas brenda zonës, por gjen sërish të vëmendshëm gardianin e portës polake, që mban të paprekur rrjetën e tij.
Ndonëse 15 minutat e fundit të pjesës së parë do të flasin për Shqipërinë, janë polakët, që përkundër rrjedhës së lojës e gjejnë golin në të 43-tën, sërish pas një goditjeje me kokë. Me Poloninë në epërsi me shifrat 2-1 do të mbyllen 45 minutat e para në Varshavë. Ndonëse Shqipëria i nis më mirë ato të dytat, polakët dalëngadalë nisin të marrin frenat e lojës dhe në minutën e 64-t, një kundërsulm i gjatë sheh si protagonist Levandovskin, që vallëzon deri në fundore përballë mbrojtjes dhe portierit kuqezi, duke pasuar në qendër, aty ku Krishoviak është më i shkathët se 3 lojtarë të Kombëtares dhe e shtyn topin në rrjetë.
Kombëtarja do të reagojë dhe do të provojë, por pa qartësinë e duhur, ta godasë portën vendase, ndërsa Manaj pretendon në minutën e 65-të për një 11-metërsh por merr në vend të tij një karton të verdhë. Në krahun tjetër, Levandovski gjen një tjetër gol për polakët pak minuta më pas, por ai anulohet për pozicion jashtë loje, duke lënë në fuqi shifrat 3-1 në favor të Polonisë. Shifra që do të thellohen dy minuta para fundit, pasi Lineti do të gjejë edhe golin e 4-t të Polonisë, që mposht kështu Shqipërinë, duke marrë fitoren e dytë në këto 4 ndeshje të para, ndërsa Kombëtarja pëson humbjen e dytë.