AlbanianSport.com 09/02/2024 17:05
ASNN – Konferenca Mjekësore e FIFA-s, Shqipëria përfaqësohet nga Doktorët e ekipeve Kombëtare të djemve & vajzave. Organizmi që qeveris futbollin botëror ka organizuar Konferencën Mjekësore në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku të pranishëm me përfaqësuesit e tyre ishin të 211 shoqatat anëtare të FIFA-s anembanë rruzullit.
Në këtë konferencë dy ditore, Shqipëria u përfaqësua nga drejtuesi i Sektorit të Mjekësisë Sportive në FSHF, i cili është edhe Doktori i Kombëtares, Xhanluka Stesina, si edhe nga Doktorja e Kombëtares së vajzave, Genta Nallbani. Konferenca nisi me fjalimin e Presidentit të FIFA-s, Xhani Infantino, i cili përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit dhe vlerësoi rëndësinë e madhe që ka kjo konferencë në bashkimin e mjekësisë së futbollit në nivel global.
Në konferencën mjekësore të FIFA-s gjatë dy ditëve janë diskutuar disa tema shumë të rëndësishme të cilat lidhen drejtëpërdrejt me mjekësinë në futboll, trajtimin e dëmtimit te sportistët, sfidat dhe risitë, duke i dhënë një vëmendje shumë të madhe shëndetit të futbollistëve në fushën e lojës.