AlbanianSport.com 08/09/2021 22:45
ASNN – Kuqezinjtë fitojnë 5-0 dhe marrin vendin e dytë në grup, me 12 pikë. Një fitore bindëse, 5-0, e dyta radhazi në pak ditë, por, më tepër se kaq, një fitore që e ka ngjitur Shqipërinë në vendin e dytë të renditjes. Kombëtarja ka mposhtur San Marinon 5-0 të mërkurën në mbrëmje në takimin e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Kështu, Shqipëria ka korrur fitoren e 4-t në këto 6 ndeshje të para të grupit I të Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”, teksa ka mundur San Marinon në takimin e luajtur të mërkurën në Stadiumin “Elbasan Arena”.
Dhe pasi Kumbulla ka shpërdorur në minutën e 3-të një rast të volitshëm, do të jetë Uzuni që nuk arrin dot një pasim të Trashit 5 minuta më pas, ndërsa Bajrami do të provojë një goditje brenda zone në të 10-tën. Uzuni do të provojë dy minuta më pas, por pa rezultat, ashtu sikundër do të bëjë edhe Kumbulla pas harkimit të Bajramit, teksa duket se Shqipëria vuan për të thyer mbrojtjen e ngjeshur të San Marinos. Por qëndresa e miqve do të thyhet në minutën e 32-të, kur Manaj do të gjejë më në fund rrugën e rrjetës për kuqezinjtë. 3 minuta më vonë, Manaj ka gjetur një gol tjetër, por ai anulohet për pozicion jashtëloje.
Ndonëse harkimi i Hysajt nuk shfrytëzohet në minutën e 44-t nga shokët e tij dhe Manaj gjen një tjetër gol menjëherë më pas, po që sërish anulohet për pozicion jashtëloje, pjesa e parë do të mbyllet me epërsinë minimale të Kombëtares. Pjesa e dytë do të nisë me Brojën dhe Roshin që do të zënë vendin e Trashit dhe Bajramit dhe loja e Shqipërisë ka një tjetër ritëm. Është fillimisht Uzuni në minutën e 49-të, Manaj 3 minuta më vonë dhe menjëherë më pas Kumbulla, por rrjeta e portës mike mbetet e paprekur, edhe për meritë të gardianit të saj, Benedetini. Sidoqoftë, Laçi do të finalizojë mjaft bukur një marshim në minutën e 58-të, duke dyfishuar epërsinë e kuqezinjve.
Vetëm 3 minuta më pas, Manaj shërben në qendër të zonës për Brojën, që gjen golin e dytë kuqezi në dy ndeshje radhazi. Shqipëria është çliruar tanimë dhe do të jetë radha e kapitenit Hysaj që të shkruajë emrin e tij në listën e golshënuesve në minutën e 68-të. 10 minuta para fundit emrin në listën e golashënuesve do ta shkruajë edhe Uzuni, që nuk e ka vështirë të realizojë falë bujarisë së Brojës. Përtej faktit se rastet nuk kanë munguar, madje kanë qenë disa edhe të volitshme, Shqipëria nuk do të gjejë gol tjetër, duke u kënaqur me një fitore 5-0 ndaj San Marinos, që i ngjit kuqezinjtë në vendin e dytë në rendite, me 12 pikë.