“Kuqezinjtë Nën-16-vjeçarë e kanë mbyllur me fitore Kampionatin Evropian, Divizioni B. Tre fitore në shtatë ndeshje. Jeni të mrekullueshëm. Jemi krenar për ju dhe të lumtur për të ardhmen e basketbollit shqiptar”, – kanë komentuar në faqen e tyre në “Facebook” drejtuesit e Federatës Shqiptare të Basketbollit. Dhe në fakt kanë pasur të drejtë, sepse ky grup lojtarësh, të drejtuar me aq kompetencë nga malazezi Nikola Milatoviç, i cili ka pasuar punën e nisur nga bashkatdhetari i tij Miroslav Susiç, ka bindur dhe skeptikun më të madh për garancinë që paraqiste kjo përfaqësuese, e cila kthehej në parket pas 10 vjetësh.
Grintë, kurajë, dinjitet, të barabartë me kundërshtarin edhe atëherë kur janë mundur. Këto kanë qenë karakteristikat e kësaj kombëtareje në Evropianin të Nën-16-vjeçarëve, e cila nesër do të jetë gati për Nën-18-vjeçarët. Dy vjet më pas, për Nën-20-vjeçarët dhe në fund për kombëtaren e madhe. Të paktën për djem basketbolli shqiptar duket se e siguroi të ardhmen.