Nga Gjergj Vyshka 20.11.2016 08:45
Shqipëria e basketbollit të femrave nuk ka dalë nga bataku i humbjeve në Eliminatoret e Kampionatit Evropian 2017, ndërsa dje në “Asllan Rusi” ka shënuar disfatën e 5-të. Një humbje me 58 pikë diferencë me Malin e Zi, që thuajse është sa ajo e vitit të kaluar në Podgoricë, ndërsa kjo kombëtare vazhdon të mos tregojë progres.
E vetmja arritje, krahasuar me ndeshjen e fundit më 24 shkurt ndaj Italisë, e cila është humbur 40-86, është fakti se kjo skuadër ka shënuar 56 pikë. Dhe kjo si asnjëherë tjetër kur përgjithësisht ka shënuar 38 pikë në vizitën italiane, 39 pikë në Malin e Zi dhe 36 pikë në Britaninë e Madhe.
Sigurisht që pikët e pësuara janë me thes, sepse ende kjo kombëtare, pavarësisht se ka ndërruar tashmë trajnerin (në vend të Erdal Borovës është Xhelal Kalaja), nuk mund të përballojë asnjë kundërshtar. Sepse i tillë është niveli i kampionatit që pasqyrohet në lojë, por dhe nga mënyra e shkaktimit të faulleve.
Të cilat jo rrallëherë gjyqtarët vendës i kalojnë. Në kushtet kur dje jemi mundur me 58 pikë nga Mali i Zi, edhe pse luajmë në fushën tonë, do të jetë më shumë se sa e vështirë me Britaninë e Madhe.