AlbanianSport.com 26.10.2014 07:50
ASNN – Stadiumi i qytetit të Shkodrës, “Loro Boriçi”, do të jetë mikpritës i ndeshjes së kthimit, Shqipëri-Serbi, të vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian të Futbollit, “Francë 2016”. Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama, menjëherë pas vendimeve të UEFA-s, për ndeshjen e parë të zhvilluar në Serbi. Sipas tij, brenda një viti stadiumi i Shkodrës do të ndërtohet brenda parametrave të UEFA-s dhe do të ketë një kapacitet prej 20 mijë vendesh.
Ndeshja e kthimit, Shqipëri-Serbi, e vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian të Futbollit, “Francë 2016”, do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës. Kështu është shprehur, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, menjëherë pas vendimeve që dha komisioni disiplinës dhe ai I etikës I UEFA-s, për ndeshjen e Serbi-Shqipëri, e ndërprerë në minutën e 42-të, për shkak të tensionit dhe dhunës së ushtruar në Stadiumin “Partizani” të Beogradit.
Por, aktualisht stadiumi “Loro Boriçi”, nuk është aspak në gjendje për të pritur një ndeshje ndërkombëtare pasi nuk i plotëson kushtet e përcaktuara nga UEFA. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe kryeministri Edi Rama, teksa ka publikuar dy foto në faqen e tij në “Facebook, në të cilat duket qartë realiteti i vuajtur i stadiumit të Shkodrës. Por shumë shpejt, brenda datës 15 tetor 2015, kur do të luhet ndeshja e kthimit Shqipëri-Serbi, ky realitet do të jetë ndryshe.
Kështu ka premtuar kreu i qeverisë shqiptare. Ai ka thënë se në shkallët e stadiumit të ri “Loro Boriçi” do të jenë prezent të paktën 20 mijë zemra kuqezi.