AlbanianSport.com 09.10.2015 12:30
ASNN – Duke folur para mediave në konferencën për shtyp pas fitores2-0 që skuadra e tij arriti të enjten në “Elbasan Arena” ndaj Shqipërisë, trajneri i Serbisë, Radovan Çurçiç, është i shprehur i kënaqur për 3-pikëshin, por edhe për pritjen e shkëlqyer, duke evidentuar se kjo sfidë shkoi brenda rregullave, si në fushë, ashtu edhe në shkallët e stadiumit. “Dua të falënderoj tifozërinë shqiptare dhe Federatën Shqiptare të Futbollit për mikpritjen”, – tha ai.
“Ishte gjithçka perfekte në fushën e lojës dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme, – ka vijuar ai. – Ju faleminderit edhe njëherë!” Në momentet e golave, sidomos në atë të dytin, i gjithë stoli i Serbisë ka festuar thuajse të kishin siguruar kualifikimin. Në lidhje me këtë moment, trajneri ka pasur edhe një shpjegim. “Festa në momentet e shënimit, nuk ishte mllef për vendimin e KAS, – tha ai. – Thjesht festuam për 3-pikëshin e marrë në këtë ndeshje eliminatore.”
Edhe pse Shqipëria ka qenë më kërkuese dhe ka tentuar disa herë që të gjejë rrugën e rrjetës, në fund rezultati u ka buzëqeshur serbëve, me dy gola me anë të kundërsulmeve. “Jam shumë i lumtur për këtë fitore dhe them se ka fituar skuadra më e mirë”, – ka thënë trajneri serb. Në fund, ku u pyet se kush e meriton që të shkojë në Francë, Danimarka apo Shqipëria, Çurçiç është përgjigjur: “Çdo gjë shkon sipas meritës. Ai ekip që do të renditet i dyti në fundin e këtyre eliminatoreve, do ta meritojë. Unë e respektoj Shqipërinë për pozicionin dhe pikët që ka, keni një ekip të mirë.”