AlbanianSport.com 09.10.2015 08:50
ASNN – Kapiteni kuqezi, Lorik Cana tha pas ndeshjes se skuadra duhet të ishte mjaftuar me barazimin dhe të mos hidhej e gjitha në sulm, pasi u pa se çfarë ndodhi në fund, për të dytën ndeshje radhazi. “Është herë e dytë pas Portugalisë që pësojmë gol në fund, – ka deklaruar ai për TVSH-në. – Sonte ndoshta na mungoi freskia për të shënuar, por të paktën nuk duhet të kishim pësuar. Ndoshta në minutat e fundit nuk duhet të ishim hedhur në sulm, pasi deri në ato momente treguam një lojë të mirë dhe një dëshirë të jashtëzakonshme për ta fituar ndeshjen.”
“Duhet të ishim mjaftuar me rezultatin 0-0, pasi do të kishim dy rezultate në favor në ndeshjen e fundit me Armeninë”, – ka vijuar gjakovari. Më pas, Lorik Cana ka marrë përgjegjësinë për humbjen ndaj Serbisë, pasi duhej të ishte më këmbëngulës për t’u rreshtuar më mirë. Në fakt, Cana ishte fajtor në të dy golat e pësuar nga kuqezinjtë, si në rastin e golit të parë, kur prishin kurthin e jashtëlojës, të ngritur nga shokët e tij të skuadrës, ashtu edhe në të dytin, kur ndërhyri në mënyrë krejt të papjekur në gjysmëfushën kundërshtare kur ishte lojtari i fundit.
“Mund ta marr unë edhe përgjegjësinë për këtë ndeshje, pasi duhet të isha më këmbëngulës për t’u rreshtuar më mirë në disa raste, – ka pohuar jo dhe aq i trishtuar kapiteni kuqezi. – Përpara pësonim gol nga frika që po pësojmë gol, ndërsa tash po pësojmë gola nga dëshira për të shënuar, por kemi edhe një ndeshje pas tre ditëve dhe shpresojmë se atje do të marrim rezultatin e duhur.” Ai dha versionin e tij edhe pse skuadra pësoi dy gola në fund të ndeshjes. “Është hera e dytë që pësojmë gol në minutat e fundit”, – ka pohuar ai.
“Ndërsa sonte (mbrëmë) ishte më evidente e nëse nuk e kishim fuqinë e fundit për të shënuar gol, atëherë nuk duhet të kishim pësuar gol, – ka theksuar ai. Trajneri na tha që të mos ikim përpara, por kjo nuk e kemi mjaftueshëm është një gabim i jonë nga mos përqendrimi dhe nga dëshira për të shënuar. Ekipi tregoj dëshirë për të fituar dhe kjo na kushtoj shumë, pasi në minutat e fundit duhet të kishim shkuar me barazim, pasi në Armeni do të luanim për dy rezultate.” Të dielën, Shqipëria luan ndeshjen e fundit të eliminatoreve, kur të përballet në Armeni me përfaqësuesen vendase.