AlbanianSport.com 07.09.2015 23:35
ASNN – Ka besuar deri në fund, madje edhe ka guxuar, duke luajtur si karta të fundit, dy arkitektët e atij triumfi historik në Portugali, Roshin dhe Balajn, por më kot. Natyrisht ka qenë i mërzitur, por, si njohës i mirë futbollit, edhe i qetë. Ky ka qenë trajneri i Kombëtares, Xhovani De Biazi, i cili, duke folur për mediat pas ndeshjes kundër Portugalisë ka rrëfyer përjetimin e tij të kësaj sfide historike.
“E dinim që do të ishte shumë e vështirë dhe do të vuanim deri në fund, pasi përballë kishim një rival shumë cilësor, – ka deklaruar 59-vjeçari i stolit të përfaqësueses së Shqipërisë. – E pësuam në fund dhe ishte e rëndë, edhe pse Portugalia krijoi më shumë raste se ne. Fola me lojtarët pas ndeshjes, do të na shpërbejë për të nxjerrë mësime kjo humbje.”
“Në momentin e golit ndoshta kemi gabuar, por jo gjithmonë skemat e provuara në stërvitje funksionojnë dhe në ndeshje shpesh gjërat marrin rrjedhë që nuk e mendon, – ka pohuar italiani me pasaportë shqiptare. – Në ndeshje të tilla duhet inteligjencë dhe mendoj se gabuam pak në fund, sepse menduam se mund të fitonim dhe ndoshta kaluam pak në aventurë.”
“Ndërkohë që duhej të mbronim barazimin, u përfshimë nga euforia e tifozëve, – ka theksuar De Biazi. – Do të na shërbejë gjithçka si leksion për të ardhmen. Me këtë humbje ia ndërlikuam punët vetes, por shpresojmë të rikuperojmë gjithçka, sepse kemi dy ndeshje në dispozicion. Portugalia është thuajse e kualifikuar dhe shpresoj që ndeshjen kundër Danimarkës të japë maksimumin dhe të fitojë.”
“Ndërrimet, edhe ai i Gashit, janë taktike, por edhe duke pasur parasysh lodhjen e ndeshjes së shkuar, – ka sqaruar trajneri kuqezi. – Gjimshiti është lojtar i fuqishëm, i sigurt, më ka pëlqyer në këto dy ndeshje dhe më ka befasuar”. Për pikën e humbur sot ne duhet të bëjmë ndeshjet tona.”
“Portugalia na bën një favor nëse fiton me Danimarkën. Sot e kemi komplikuar pak jetën sepse Portugalia matematikisht është e kualifikuar. Në këtë pikë rezultati i sotëm ishte i rëndë për ne.”, – ka përfunduar trajneri i Kombëtares kuqezi, Xhovani, De Biazi, duke folur pas humbjes së pësuar të hënën me Portugalinë në Stadiumin “Elbasan Arena” dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.